Konferenca e ambasadorëve në Londër, mbajtur në 1912-1913 dhe njohur ndryshe edhe si "Konferenca e Paqes në Londër", ishte një takim ndërkombëtar i gjashtë Fuqive të Mëdha të asaj kohe (Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Austro-Hungaria, Rusia dhe Italia). Këto fuqi u mblodhën në dhjetor 1912 si pasojë e sukseseve të ushtrive të Ligës ballkanike kundër Perandorisë Osmane në Luftën e Parë
Ballkanike. Në veçanti konferenca u përpoq të luante rolin e arbitrit
ndërmjet fuqive ndërluftuese për çështjen e shpërndarjes së tokave dhe
gjithashtu përcaktoi të ardhmen e Shqipërisë, e cila deklaroi
pavarësinë gjatë Luftës së Parë Ballkanike.
Shpallja e Pavarësisë ose Deklarata
e Pavarësisë është shpallja e pavarësisë së Vilajetit
shqiptar nga Perandoria Osmane. Shqipëria u vetëshpall e pavarur në Vlorë më 28 nëntor 1912 nga Ismail Qemali. Në shpalljen e pavarësisë morën pjesë 83 delegatë nga të gjitha trevat shqiptare. Menjëherë pas shpalljes së pavarësisë,
Asambleja e Vlorës formoi qeverinë e parë të Shqipërisë së Pavarur të drejtuar
nga Ismail Qemali si dhe Pleqësinë. Njohja ndërkombëtare e pavarësisë si dhe përcaktimi i
kufijve të Shqipërisë u bë pas një viti në Konferencën e
ambasadorëve në Londër, vendim i së cilës qe shpallja e Principatës shqiptare sovrane nga Perandoria Osmane nën mbikqyrjen e Komisionit
Ndërkombëtar të Kontrollit dhe lënia e gjysmës së territoreve të shtetit të
porsaformuar jashtë kufijve të tij administrativë.
Lufta e Parë
Ballkanike, përderisa drejtohej kundër Turqisë dhe kishte për qëllim bashkimin
kombëtar të popujve ballkanikë, objektivisht kryente një funksion përparimtar.
Ajo u drejtua nga qarqet shoviniste të vendeve të Ballkanit dhe u kthye në një
luftë grabitqare, pushtuese, sidomos ndaj Shqipërisë.
Shqiptarët ishin
po aq të interesuar sa edhe popujt e tjerë të shtypur të Ballkanit për t’u
çliruar nga zgjedha osmane. Përfaqësuesit e tyre bënë përpjekje për t’u lidhur
me fqinjët në luftën e përbashkët kundërosmane, por këto përpjekje dështuan për
faj të krerëve të Aleancës Ballkanike, të cilët nuk dëshironin t’i kishin
shqiptarët si palë me të drejta të barabarta në këtë aleancë, sepse ishin marrë
vesh ndërmjet tyre për copëtimin e Shqipërisë. Prandaj, shqiptarët nuk hynë në
një aleancë, krerët e së cilës synonin t’i përdornin ata si mish për qentë në luftën
kundër Perandorisë Osmane. Pjesëmarrja e shqiptarëve në këtë aleancë, pa u
njohur zyrtarisht të drejtat e tyre, do të ishte një vetëvrasje.
Planet
aneksioniste të Serbisë, të Malit të Zi e të Greqisë kundrejt Shqipërisë ishin
plane që filluan të viheshin në jetë me shpërthimin e Luftës së Parë
Ballkanike, ishin krijim i një politike të pajustifikueshme armiqësore ndaj një
populli fqinj, që kishte bërë një luftë të vazhdueshme kundër sundimit
shekullor osman dhe kishte treguar se ishte një aleat i sigurt në luftën kundër
armikut të përbashkët. Shtetet ballkanike jo vetëm dërgonin ushtarët e tyre të
vriteshin me shqiptarët, që ishin të vendosur të mbronin deri në fund lirinë e
tërësinë e tokës së tyre, por edhe u jepnin Fuqive të Mëdha një armë të fortë
në dorë për të ndërhyrë në punët e Ballkanit, që të vinin në orbitën e tyre si
popullin shqiptar, ashtu edhe popujt fqinjë. Për këtë arsye, Lufta Ballkanike
krijoi në Shqipëri një gjendje shumë të ndërlikuar e kontradiktore. Nga njëra
anë, në masat popullore vazhdonte të ishte gjallë fryma e luftës kundër
zgjedhës osmane, nga ana tjetër, po bëhej gjithnjë më i qartë rreziku që
kërcënonte Shqipërinë nga fqinjët ballkanikë, të cilët pas dëbimit të turqve
nga gadishulli synonin të zinin vendin e Perandorisë Osmane në të dhe të
fshinin kombin shqiptar nga harta politike e Ballkanit.
Ndryshe nga
vendet e tjera ballkanike, Shqipëria edhe kësaj radhe, në këto çaste tepër
kritike, u ndodh vetëm, me armikun e vjetër në vatër dhe e sulmuar nga agresorë
të rinj. Ky rrezik kombëtar vuri në lëvizje të gjitha klasat e shtresat
shoqërore të vendit. Përpara tyre u ngrit në mënyrë më serioze çështja e fatit
të Shqipërisë, e qëndrimit që duhej mbajtur ndaj konfliktit ballkanik, e
mënyrave dhe e mjeteve për ta shpëtuar Shqipërinë nga katastrofa që kërcënonte
Turqinë.
Qysh në fillim
të tetorit gazeta “Liri e Shqipërisë”, që përfaqësonte opinionin e kolonisë
shqiptare të Sofjes duke parashikuar ngjarjet, u drejtohej shqiptarëve me
thirrjen: “... të marrim armët dhe të mbrojmë kufijtë e mëmëdheut tonë, duke
kërkuar autonominë e Shqipërisë”. Po kjo gazetë u drejtohej shqiptarëve t’u
përmbaheshin udhëzimeve të Sami Frashërit në veprën “Shqipëria ç’ka qënë,
ç’është e ç’do të bëhet ?”, d.m.th. t’i jepnin një goditje të fortë Turqisë
për të mos u rrokullisur me të në greminë.
Brenda
në Shqipëri nismën për një veprim politik, që ta nxirrte vendin nga gjendja e
vështirë dhe e ndërlikuar e krijuar nga Lufta Ballkanike, e morën shoqëritë
atdhetare, Komiteti “Shpëtimi” dhe “Shoqëria e Zezë për Shpëtim” që ishte
krijuar në Shkup. Përfaqësuesit e tyre Sali Gjuka, Nexhip Draga, Bedri Pejani,
Mithat Frashëri etj., organizuan në Shkup më 14 tetor 1912 një mbledhje, për të
cilën ishte marrë qysh përpara edhe miratimi i Hasan Prishtinës e i Bajram
Currit, që kishin shkuar në front për organizimin e mbrojtjes së tokave
shqiptare.
Mbledhja
e Shkupit arriti në përfundimin se Perandoria Osmane do ta humbiste luftën dhe
vendosi t’u njoftonte Fuqive të Mëdha se populli shqiptar po i kapte armët jo për
të forcuar sundimin e Turqisë në Ballkan, por për t’i dalë zot tërësisë
tokësore e lirisë së Shqipërisë. Pra, vijonte deklarata, shqiptarët nuk do të
pranonin për katër vilajetet veçse një formë të vetme qeverisjeje. Ky vendim
përputhej me atë që ishte shprehur nga gazeta “Liri e Shqipërisë” dhe ishte
vendimi më i drejtë e më realist që mund të merrej në këto rrethana. Ai iu
dorëzua përfaqësuesve të fuqive të huaja në Shkup më 16 tetor.
Mbledhja e Shkupit caktoi edhe një delegacion, i cili do të shkonte në Malësi të Madhe për t’i shkëputur malësorët nga bashkëpunimi me Malin e Zi. Ky delegacion u autorizua gjithashtu të merrej vesh me krahinat e tjera të vendit për organizimin e një kuvendi kombëtar që do të vendoste për fatin e atdheut. Por ai nuk mundi të arrinte në Malësi të Madhe; ngjarjet në frontin e luftës ishin zhvilluar me një shpejtësi të tillë, që e detyruan të ndalej përkohësisht në Pejë e në Gjakovë, ku mori autorizimin nga popullsia për ta përfaqësuar atë në veprimtaritë që po ndërmerreshin kundër copëtimit të vendit. Prej këtej delegacioni i Kosovës u drejtua në Shqipërinë e Mesme e të Jugut, ku ishin marrë nisma nga rrethet atdhetare lokale për organizimin e kuvendit kombëtar dhe kishte filluar zgjedhja e delegatëve.
Ushtritë e aleatëve ballkanikë brenda një kohe të shkurtër e shpartalluan ushtrinë turke në të gjitha frontet. Trupat bullgare, pasi thyen qëndresën e forcave turke, të përqendruara në Trakën Lindore, iu drejtuan Adrianopojës. Forcat e Malit të Zi, të ndara në tri kolona, sulmuan dy në drejtim të Shkodrës dhe njëra në drejtim të Pejës. Brenda tri javësh ato pushtuan Pejën dhe iu drejtuan Shkodrës.
Mbreti Nikolla i Malit të Zi, ndërsa u premtonte malësorëve se do të respektonte
flamurin shqiptar, në thirrjen drejtuar popullit malazez e ftonte këtë t’u
jepte dorën “vëllezërve nën zgjedhë të Malësisë, të cilët prej më shumë se dy
vjetësh luftonin për të drejtat e lirinë e tyre dhe për bashkimin me Malin e
Zi”. Kur doli në shesh mashtrimi i mbretit malazez dhe kur në tokat shqiptare
të pushtuara, në vend të flamurit kombëtar u ngrit ai i Malit të Zi, malësorët,
që kishin marrë pjesë aktive në këtë luftë krahas ushtrive malazeze, u tërhoqën
në masë nga lufta.
Edhe mbreti serb Pjetër, në manifestin që shpalli në fillim të fushatës
ushtarake serbe, deklaronte në mënyrë demagogjike se do t’u sillte edhe
shqiptarëve lirinë, vëllazërinë dhe barazinë.
Më 15 tetor filloi mësymja e trupave serbe në rajonin e Vranjës, ndërsa më 18 tetor u hodh në sulm gjithë ushtria prej 286 000 vetash, në drejtimin Nish-Manastir-Elbasan, Nish-Manastir-Selanik dhe Kurshunli-Prizren-Durrës. Forca të tjera sulmuan nga veriu, në drejtimin Rashkë-Mitrovicë-Pejë dhe Javor-Priepolje.
Turqia u gjend e papërgatitur për luftë. Qeveria turke vendosi të formonte repartet e armatosura vullnetare shqiptare, që do të pajiseshin me armë nga depot e shtetit. Doli edhe një urdhër i ministrit të Luftës për t’u dërguar shqiptarëve 50 000 pushkë. Megjithatë nuk u dërgua asgjë, shqiptarët u lanë pa armë, në mëshirën e fatit. Qeveria xhonturke nuk qe në gjendje të përfitonte nga forca e madhe e shqiptarëve dhe nga gatishmëria për të mbrojtur atdheun e vet.
Shqiptarët e Kosovës, veçanërisht ata të Llapit dhe të krahinave përreth, u qëndruan me vendosmëri në luftimet e Merdarit (14-18 tetor), në veri të Podujevës, forcave të Armatës së parë dhe të tretë serbe. Ushtria turke një ditë para betejës braktisi frontin në disa pika. Luftimet në Merdar ishin të ashpra. Serbët e morën atë pas humbjeve të mëdha. Edhe mbrojtja e kufirit nga Rashka në Podujevë u mbeti vullnetarëve shqiptarë, të udhëhequr nga Isa Boletini. Me organizimin e mbrojtjes në veri të Prishtinës u mor Hasan Prishtina, ndërsa në Gjakovë, Plavë e Guci Bajram Curri.
Pasi morën
Merdarin, forcat serbe të Armatës së parë depërtuan në Podujevë dhe, së bashku
me ushtritë e Armatës së tretë, më 20 tetor filluan sulmin mbi Prishtinën.
Vullnetarët shqiptarë luftuan me vendosmëri, por për mungesë të municionit u
tërhoqën nga qyteti, që ra po atë ditë në duart e serbëve. Më 23 tetor u
pushtua Vuçiterna dhe pas saj Mitrovica. Me organizimin e forcave vullnetare
shqiptare në zonën e Gjilanit, të Moravës e të Karadakut u mor Idriz Seferi, që
arriti të grumbullojë 6 000 luftëtarë, të cilët u hodhën në kufirin me Serbinë,
ku së bashku me forcat e vendit u bënë ballë njësive të Armatës së tretë serbe.
Luftimet në këtë trevë juglindore të Kosovës vazhduan 7 ditë, duke filluar nga
koha e sulmit të ushtrisë serbe më 15 tetor. Pasi theu qëndresën e shqiptarëve
në kufirin juglindor të Kosovës, ushtria serbe mundi të pushtonte më 24 tetor
qytetin e Gjilanit. Më 23 tetor serbët pushtuan Vuçiternën dhe pas saj
Mitrovicën.
Pas pushtimit të Prishtinës ushtria serbe filloi
veprime të tjera në përmasa të mëdha, të cilat kishin si objektiv të parë
pushtimin e Ferizajt, të Kumanovës e të Shkupit, për të vijuar më tej Marshimin
drejt jugut dhe drejt pjesës perëndimore të Shqipërisë.
Natën e 23-24 korrikut Armata e tretë serbe filloi
një Marshim drejt Shkupit e Kumanovës. Më 24 tetor pushtoi Lipjanin dhe po në
këtë ditë iu afrua Ferizajt. Edhe mbrojtja e tij u mbeti rreth 10 000
vullnetarëve shqiptarë. Në mesditën e 25 tetorit ushtria serbe filloi sulmin e
përgjithshëm mbi qytetin, të cilin e pushtoi në mbrëmjen e 25 tetorit. Forcat
shqiptare u tërhoqën drejt Kaçanikut.
Por luftimet më të mëdha u bënë në Grykën e
Carralevës. Pas dy ditë lufte me 2 000-3 000 vullnetarë shqiptarë, forcat
serbe, pasi lanë këtu shumë ushtarë të vrarë e të plagosur, më 26 tetor e pushtuan këtë grykë. Më 30 tetor u
pushtua Prizreni. Beteja më e madhe e trevës së Kosovës ishte ajo e Kumanovës
(22-24 tetor), ku serbët hodhën ushtrinë e Armatës së parë, të përbërë nga 126
000 veta. Armata turke e Vardarit kishte vendosur në këtë front 50 000
luftëtarë. Midis tyre kishte edhe disa mijëra ushtarë shqiptarë, përveç forcave
vullnetare të ardhura nga treva e Kumanovës e rrethet e tjera.
Më 24 tetor ushtria turke u thye përfundimisht në
Kumanovë. Pas pushtimit të Kumanovës, më 26 tetor forcat e Armatës së parë serbe
pushtuan pa luftë Shkupin. Me pushtimin e Shkupit përfundoi faza e parë e
Luftës Balkanike. Periudha e dytë ishte ajo e luftës për pushtimin e
territoreve shqiptare në pjesën perëndimore të vilajetit të Kosovës, në
vilajetet e Manastirit, të Shkodrës e të Janinës.
Sikurse shkruajnë gjeneralët turq, pjesëmarrës në
këto beteja, shqiptarët luftuan me trimëri të madhe për të mbrojtur atdheun e
vet, tokën amtare. Ata nuk e braktisën asnjëherë frontin dhe shpesh luftuan
edhe pasi ushtria turke kishte braktisur vijën e luftës. Në Betejën e Kumanovës
u vra gjithë efektivi i batalionit të ushtarëve të Gjilanit. Ndërsa numri i
përgjithshëm i shqiptarëve, që u vranë në këtë betejë, arrin në 10 000 veta.
Pas pushtimit të Shkupit, ushtria serbe vazhdoi
mësymjen drejt pjesës perëndimore të vilajetit të Kosovës (drejt Prizrenit,
Pejës, Gjakovës etj.), drejt vilajeteve të Manastirit (pushtuan Manastirin), të
Shkodrës e të Janinës. Ata kaluan nëpër luginën e Drinit, pushtuan Lumën,
Mirditën e Matin, dolën në Lezhë dhe u dyndën në Shqipërinë e Mesme. Një pjesë
e tyre iu drejtua Durrësit, kurse kolona të tjera u nisën drejt veriut dhe, së
bashku me forcat malazeze që kishin marrë Shëngjinin, plotësuan rrethimin e
Shkodrës.
Shqiptarët, të braktisur nga ushtritë osmane, edhe
pse luftuan kudo me trimëri, nuk qenë në gjendje të ndalnin sulmin e kombinuar
të aleatëve ballkanikë, të përgatitur ushtarakisht prej dhjetëra vjetësh dhe të
armatosur deri në dhëmbë. Në fillim të dhjetorit të vitit 1912 ushtritë
serbo-malazeze kishin pushtuar pjesën më të madhe të Shqipërisë dhe arritën në
jug deri në luginën e Shkumbinit, në vijën
Durrës-Kavajë-Peqin-Elbasan-Pogradec-Strugë.
Ndërkohë edhe ushtria greke, pasi theu forcat turke
në Thesali e në Epir, mori Selanikun, rrethoi Janinën, shtiu në dorë Sazanin
dhe zbarkoi në Himarë, të cilën e pushtoi bashkë me disa fshatra përreth.
Menjëherë pas sukseseve të para qeveritarët e
Serbisë, të Malit të Zi dhe të Greqisë, si edhe shtypi i tyre, filluan t’i
deklaronin gjithnjë më hapur qëllimet e veta ndaj Shqipërisë, duke i
justifikuar ato me argumentet absurde të paaftësisë së “fiseve të egra” e
“barbare” shqiptare për të formuar shtetin e vet.
Këto deklarata u shoqëruan me një veprimtari
gjakatare, terroriste, shfarosëse të ushtrive malazeze e serbe dhe më vonë
greke kundër popullsisë shqiptare, që nuk mëshiruan as gratë, as fëmijët e as
pleqtë. Pushtimi i Kosovës e i viseve të tjera të Shqipërisë u shoqërua me
vrasje në masë të luftëtarëve kosovarë dhe me masakrimin e me shpërnguljen e
popullsisë. Qëllimi i Beogradit ishte që “Serbia të bëhej shtet i pastër,
thjesht serb, nacional”. Proklamatave të mbretit të Serbisë, për barazinë e
shqiptarëve me serbët në shtetin e Serbisë, ua zunë vendin pas fillimit të
luftës urdhrat për shfarosjen e shqiptarëve. Gjeneralët serbë pranonin haptazi
atëherë se “ne i linim të qetë turqit, por vramë sa mundëm ç'qenë shqiptarë”.
Deviza e ushtrisë serbe ishte: “Të shfarosim shqiptarët !”.
Kudo që shkelën, në
fshatrat e qytetet e Kosovës dhe të të gjithë Shqipërisë, serbët mbollën vdekje
e shkatërrime. Vetëm në dy muajt e parë të luftës, në tetor-nëntor 1912, u
vranë 25 000 shqiptarë. Vrasja e shqiptarëve ishte programuar zyrtarisht nga
Beogradi, që kishte urdhëruar “të mos lihej asnjë gjurmë shqiptare në ato
vise”. Qytete të tëra, si Prishtina, Vuçiterna, Ferizaj, Gjilani, Kumanova,
Presheva, Prizreni, Peja etj., iu nënshtruan shkatërrimeve. Fshatrat përreth
këtyre qyteteve u bënë shkrumb e hi, ndërsa banorët e tyre, pa kursyer as
gratë, pleqtë e fëmijët, u vranë ose u dogjën të gjallë, në zjarrin e shtëpive
të tyre. Ushtria malazeze plaçkiti Gjakovën dhe dogji pazarin e saj. Sikurse
pohonte sekretari i N. Pashiçit, në rrugën midis Prizrenit dhe Pejës kishte
vetëm fshatra të djegura, ndërsa banorët e tyre ishin masakruar. Në Pejë
vriteshin çdo ditë 25 shqiptarë. Pasi shtypën qëndresën e 2 000 lumjanëve,
serbët, në tetor 1912, masakruan popullsinë e Lumës, 700 veta, duke përfshirë
pleqtë, gratë, fëmijët e madje edhe ata të sapo lindur që u therrën ose u
dogjën të gjallë në shtëpitë e tyre, dogjën e rrafshuan me tokën thuajse të
gjitha fshatrat e Lumës. Fshati Nishor, në veriperëndim të Prizrenit u rënua
nga goditjet e artilerisë, ndërsa popullsia u masakrua, u vranë gjithë burrat.
Bashkëkohësit shkruanin se në fshatra të tëra të Kosovës nuk mbeti i gjallë
asnjë njeri.
Në territorin midis
Kumanovës e Shkupit, sipas njoftimeve të shtypit të kohës, u vranë 3 000 veta,
nga të cilët 2 000 në rrethin e Shkupit. Terrorit
të paparë iu nënshtrua edhe popullsia e qytetit të Shkupit. Çdo ditë oficerët
serbë organizonin ekspedita në fshatrat rreth Shkupit për të terrorizuar dhe
për të masakruar fshatarët. Mijëra njërëz të pambrojtur vinin nga Kumanova e
nga Presheva, duke shpresuar të gjenin shpëtim në Shkup. Por edhe këtu i priste
vdekja nga ushtarët serbë ose nga uria. Masakra të mëdha u bënë në Malin e Zi,
ku u dogjën 29 fshatra shqiptare. Pas pushtimit të Ferizajt, u vranë këtu 1 200
veta.
Gjatë kësaj fushate
persekutimesh ndaj shqiptarëve u arrestuan në rrethet e Shkupit, në muajin
nëntor, Hasan Prishtina, Nexhip Draga, Idriz Seferi, Sait Hoxha, Kosum Seferi
dhe mjaft udhëheqës të tjerë të lëvizjes shqiptare, të cilët, meqë nuk pranuan
të nënshkruanin deklaratat e besnikërisë ndaj Serbisë, u hodhën në burgjet e
Beogradit, ku u mbajtën deri më 16 maj 1913.
Pushtimi i Kosovës u
shoqërua me shpërngulje në masë të popullsisë shqiptare nga trojet e tyre
amtare. Vetëm në periudhën e Luftës së Parë Ballkanike u shpërngulën nga vise
të ndryshme të vilajetit të Kosovës rreth 150 000 shqiptarë.
Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë
Fitoret e
rrufeshme të shteteve ballkanike i detyruan Fuqitë e Mëdha të rishikonin
vendimin e tyre për të mos lejuar ndryshimin e statusit të quo-së në Ballkan.
Qysh në fund të tetorit në rrethet diplomatike dhe në shtypin evropian filloi
të flitej për nevojën e ndryshimeve territoriale në të mirë të aleatëve
ballkanikë. Në këto kushte, patriotët shqiptarë që ndodheshin jashtë atdheut
vendosën të ndërmerrnin një veprim të ri politik krahas atij të “Shoqërisë së
zezë për shpëtim” e të rretheve të tjera atdhetare brenda vendit. Qëllimi i
këtij veprimi do të ishte të shpëtohej Shqipëria nga copëtimi, të ruhej tërësia
e saj tokësore e të mblidhej një kuvend kombëtar që do të vendoste për fatin e
saj. Nismën për këtë veprim të ri e morën Ismail Qemali dhe Luigj Gurakuqi, të
cilët mendonin se do të kishin përkrahjen e Lidhjes Tripalëshe. Ata u nisën nga
Stambolli dhe arritën në Bukuresht, ku më 5 nëntor 1912 organizuan mbledhjen e
kolonisë shqiptare të atjeshme. Aty u vendos të themelohej “një komitet
drejtonjës” që të merrte në dorë qeverinë e vendit; të krijohej një komision që
do të shkonte në Evropë për të mbrojtur përpara qeverive të Fuqive të Mëdha “të
drejtat kombëtare e lokale të popullit shqiptar” dhe një komitet në Bukuresht,
që do të bashkërendonte veprimtarinë e komiteteve të tjera brenda e jashtë
Shqipërisë për t’i ardhur atdheut në ndihmë. Mbledhja e Bukureshtit në vendimin
e saj nuk përcaktoi qartë nëse do të kërkohej autonomi a pavarësi. Kjo do të
përcaktohej, siç duket, nga zhvillimi i mëtejshëm i ngjarjeve dhe nga qëndrimi
që do të mbanin kundrejt çështjes shqiptare Fuqitë e Mëdha. Për këtë qëllim
Ismail Qemali me shokë shkoi në Vjenë, ku bisedoi me ambasadorin anglez,
Berhtoldin, dhe me ambasadorin italian. Gjatë rrugës ose ndoshta në kryeqytetin
austriak Ismail Qemali u njoftua për lëvizjen që kishte filluar në Shqipëri për
mbledhjen e një kuvendi kombëtar. Ai i deklaroi më 10 nëntor ambasadorit anglez
se do të nisej së shpejti për në Vlorë për të marrë pjesë në një mbledhje të
krerëve shqiptarë, se shqiptarët ishin të vendosur të ruanin vendin e tyre, se
ata do të luftonin deri në pikën e fundit të gjakut për të mos lejuar një
copëtim të tij dhe se krijimi i një Shqipërie më vete do të mënjanonte një
ndërhyrje të Austrisë dhe të Italisë.Ideja për mbledhjen e një kuvendi në
Shqipëri, që do t’u paraqiste Fuqive të Mëdha kërkesat e popullit shqiptar,
kishte gjetur përkrahjen e qeverisë austro-hungareze. Berhtoldi e njoftoi
Ismail Qemalin se Vjena ishte për një Shqipëri autonome. I tillë ishte edhe
opinioni që mbizotëronte në rrethet diplomatike të Fuqive të tjera të Mëdha.
Por autonomia në kuadrin e Perandorisë Osmane tashmë nuk kishte asnjë kuptim.
Ushtria osmane në Ballkan ishte shpartalluar në të gjitha frontet. Trupat
serbe, malazeze e greke kishin hyrë thellë në tokën shqiptare.Në këto kushte e
vetmja zgjidhje e drejtë e çështjes shqiptare ishte ajo e shpalljes së
pavarësisë. Në këtë përfundim arriti grupi i atdhetarëve i kryesuar nga Ismail
Qemali, i cili më 19 nëntor deklaronte në Trieste, ku kishte arritur bashkë me
shokët, se: “... menjëherë pas mbërritjes së tij në Shqipëri do të shpallej
pavarësia e Shqipërisë dhe do të zgjidhej qeveria e përkohshme”. Nga Triestja
komisionit që ishte formuar në Vlorë për përgatitjen e mbledhjes së kuvendit
kombëtar iu dërgua një telegram, me anë të të cilit kërkohej që të merreshin
masa për thirrjen e delegatëve.Ideja e pavarësisë së Shqipërisë dhe lajmi i
mbledhjes së kuvendit kombëtar u pritën me entuziazëm të madh në Shqipëri, ku
gjetën një truall të përgatitur qysh më parë nga rrethet atdhetare të vendit.
Këto rrethe kishin vendosur lidhje ndërmjet tyre dhe kishin caktuar Vlorën si
qendër ku do të bëhej mbledhja e përfaqësuesve të kombit shqiptar.Grupi i
kryesuar nga Ismail Qemali arriti në Durrës më 21 nëntor. Së bashku me
atdhetarët durrsakë ai vendosi të ngrinte në qytet flamurin kombëtar. Por
autoritetet osmane, të ndihmuara nga armiku i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare
dhespot Jakovi, arritën, ndonëse përkohësisht, ta pengonin këtë veprim. Komanda
turke e Janinës u orvat nga ana e saj ta kapte Ismail Qemalin gjallë ose
vdekur, por shumë shpejt u detyrua të hiqte dorë nga ky vendim. Administrata
turke në krahinat e Shqipërisë, të papushtuara ende nga ushtritë ballkanike, në
përgjithësi nuk ishte në gjendje ta pengonte lëvizjen shqiptare. Ajo i trembej
shumë një konflikti të armatosur me shqiptarët, në një kohë kur po ndiqej
këmba-këmbës nga aleatët ballkanikë dhe kur e vetmja rrugë tërheqjeje në
perëndim ishte Shqipëria.Të shoqëruar nga delegatët e Durrësit, të Shijakut, të
Tiranës e të Krujës, Ismail Qemali me shokët e tij u nisën për në Kavajë. Prej
andej nëpër Karatoprak kaluan në Fier, ku u takuan me delegatët e Kosovës, dhe
më 25 nëntor arritën në Vlorë. Këtu delegatët e popullit shqiptar u pritën me
festë. “Një zjarr i shenjtë patriotizmi, - shkruan Ismail Qemali në kujtimet e
tij, - kishte pushtuar qytetin ku kisha lindur dhe populli më përshëndeste kudo
me entuziazëm dhe gëzim”.Puna e parë e udhëheqësit patriot qysh më 26 nëntor
ishte organizimi i forcave të armatosura. Për këtë qëllim ai ngriti një
komision organizues dhe u dërgoi pleqësive të katundeve një qarkore, me anën e
së cilës porositeshin të mobilizonin njerëzit e aftë për armë dhe t’i mbanin
ata në gatishmëri. Ndërkohë, ushtria serbe po përparonte me shpejtësi në tokat
shqiptare. Ajo po i afrohej Durrësit, Tiranës, Krujës dhe Elbasanit. Rrethet
atdhetare të këtyre qyteteve vendosën ta shpallnin sa më parë pavarësinë për
t’i vënë autoritetet ushtarake serbe përpara faktit të kryer. Më 25 nëntor
Elbasani shpalli i pari pavarësinë. Të nesërmen atë e shpallën Durrësi e Tirana
dhe më 27 nëntor Kavaja, Peqini e Lushnja. Për shkak të përparimit të pandalur
të ushtrive serbe, gjendja në Shqipëri po bëhej gjithnjë më kritike. Kjo ishte
arsyeja që në mbrëmjen e 27 nëntorit delegatët që ndodheshin në Vlorë, ndonëse
nuk kishin arritur ende përfaqësuesit e disa krahinave, vendosën të mblidhnin
të nesërmen kuvendin kombëtar.Më 28 nëntor 1912, në orën 14, u hap në Vlorë
Kuvendi Kombëtar. Në mbledhjen e parë të Kuvendit morën pjesë 37 delegatë, të
cilët u shtuan gjatë ditëve që pasuan duke arritur në 63 veta, që përfaqësonin
të gjitha viset shqiptare. Pjesa më e madhe e tyre ishin udhëheqës e veprimtarë
të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Përveç Ismail Qemalit merrnin pjesë Luigj
Gurakuqi, Isa Boletini, Sali Gjuka, Bedri Pejani, Rexhep Bej Mitrovica, Vehbi
Agolli, Nikollë Kaçorri, Jani Minga, Abdi Bej Toptani, Pandeli Cale, Dudë
Karbunara, Lef Nosi, Mit'hat Frashëri, Mehmet Pashë Deralla, Hasan Hysen
Budakova, Ajdin Draga, Sherif efendi Dibra, Dhimitër Mborja, Dhimitër Zografi,
Shefqet Bej Daiu, Rexhep Ademi, Dhimitër Berati, Kristo Meksi, Xhelal Bej
Koprencka, Spiro Ilo, Ilias Bej Vrioni, Sami Bej Vrioni, Hajredin Cakrani,
Shefqet Bej Vërlaci etj. Isa Boletini mbërriti me 400 luftëtarë kosovarë më 29
nëntor, i pritur me gëzim të madh nga popullsia dhe nga delegatët e Kuvendit.
Nga udhëheqësit e tjerë kosovarë, për shkak të rrethanave të luftës, nuk mundën
të merrnin pjesë Hasan Bej Prishtina, Nexhip Draga, Idriz Seferi, Sait Hoxha
etj., që ndodheshin në burgun e Beogradit, si edhe Bajram Curri, i cili,
ndonëse u nis për në Kuvend, u pengua nga luftimet gjatë rrugës. Pjesëmarrja në
Kuvend e delegatëve nga të gjitha qytetet e Shqipërisë, duke përfshirë edhe ato
që ndodheshin të pushtuara nga ushtritë serbe, malazeze e greke, i dha atij
karakterin e një asambleje kombëtare mbarëshqiptare. Kjo ishte njëherazi
shprehje e vendosmërisë së të gjithë shqiptarëve për t’u bashkuar në shtetin e
vet kombëtar, në të cilin do të përfshiheshin të gjitha viset shqiptare.Kuvendi
zgjodhi si kryetar Ismail Qemalin, i cili foli për të kaluarën e Shqipërisë nën
sundimin osman dhe për luftërat e shqiptarëve për të fituar të drejtat e tyre.
Ai vuri në dukje se në rrethanat e krijuara nga Lufta Ballkanike “e vetmja udhë
shpëtimi ishte ndarja e Shqipërisë nga Turqia”.Propozimi i kryetarit u miratua
njëzëri nga delegatët, të cilët nënshkruan dokumentin historik për Pavarësinë e
Shqipërisë, ku thuhej: “... Shqipëria me sot të bëhet më vehte, e lirë e
mosvarme”. Pastaj u ngrit madhërisht flamuri kombëtar i Shqipërisë përpara
mijëra njerëzve që ishin mbledhur jashtë selisë së Kuvendit e që e pritën këtë
ngjarje historike me brohoritje entuziaste, ndërsa populli përshkonte duke
kënduar rrugët e qytetit, oratorët atdhetarë, si Jani Minga, Murat Toptani
etj., me fjalimet e zjarrta evokonin luftërat e popullit shqiptar për liri.Nga
Kuvendi i Vlorës doli gjithashtu qeveria e përkohshme e kryesuar nga Ismail
Qemali.
Delegacionet
Berat: Sami Bej Vrioni, Ilias Bej Vrioni, Taq Tutulani, Babë Dud Karbunara;
Skrapar: Xhelal Koprencka; Hajredin Bej Cakrani;
Lushnjë: Qemal Bej Mullai, Ferit Bej Vokopola, Nebi Efendi Sefa;
Dibër: Myfti Vehbi Dibra, Sherif Lengu;
Mat: Ahmet Bej Zogu (më vonë Zogu I), Riza Bej Zogolli, Kurt Agë Kadiu;
Ohër dhe Strugë: Zyhdi Ohri, Dr. H. Myrtezai, Nuri Sojlliu, Hamdi Bej Ohri, Mustafa Baruti, Dervish Hima;
Durrës: Abaz Efendi Çelkupa, Mustafa Agë Hanxhiu, Jahja Ballhysa, Dom Nikoll Kaçorri;
Tiranë: Abdi Bej Toptani, Murat Bej Toptani;
Shijak: Xhelal Bej Deliallisi, Ymer Bej Deliallisi, Ibrahim Efendiu;
Krujë: Mustafa Merlika-Kruja;
Elbasan: Lef Nosi, Shefqet Bej Daiu, Qemal Bej Karaosmani, Dervish Bej Biçaku
Peqin: Mahmud Efendi Kaziu;
Gramsh-Tomorricë: Ismail Qemali Gramshi
Gjirokastër: Azis Efendi Gjirokastra, Elmaz Boçe, Veli Harxhi, Myfid Bej Libohova, Petro Poga, Jani Papadhopulli;
Përmet: Veli Bej Këlcyra, Syrja Bej Vlora;
Tepelenë: Feim Bej Mezhgorani;
Janinë: Kristo Meksi, Aristidh Ruci;
Çamëria: Veli Gërra, Jakup Veseli, Rexhep Demi, Azis Tahir Ajdonati;
Delvinë: Avni Bej Delvina;
Korçë: Pandeli Cale, Thanas Floqi, Spiro Ilo,
Pogradec: Hajdar Blloshmi;
Kosovë, Gjakovë dhe Plavë-Guci: Rexhep Bej Mitrovica, Bedri Pejani, Salih Gjuka, Midhat Frashëri, Mehmet Pashë Deralla, Isa Boletini, Riza Bej Gjakova, Hajdin Bej Draga, Dervish Bej Ipeku, Zenel Bej Begolli, Qerim Begolli;
Shkodër: Luigj Gurakuqi;
Vlorë: Ismail Qemali, Zihni Abaz Kanina, Aristidh Ruci, Qazim Kokoshi, Jani Minga, Eqrem Bej Vlora;
Kolonia shqiptare në Greqi: Dhimitër Zografi, Dhimitër Mborja, Dhimitër Berati, Dhimitër Ilo
Skrapar: Xhelal Koprencka; Hajredin Bej Cakrani;
Lushnjë: Qemal Bej Mullai, Ferit Bej Vokopola, Nebi Efendi Sefa;
Dibër: Myfti Vehbi Dibra, Sherif Lengu;
Mat: Ahmet Bej Zogu (më vonë Zogu I), Riza Bej Zogolli, Kurt Agë Kadiu;
Ohër dhe Strugë: Zyhdi Ohri, Dr. H. Myrtezai, Nuri Sojlliu, Hamdi Bej Ohri, Mustafa Baruti, Dervish Hima;
Durrës: Abaz Efendi Çelkupa, Mustafa Agë Hanxhiu, Jahja Ballhysa, Dom Nikoll Kaçorri;
Tiranë: Abdi Bej Toptani, Murat Bej Toptani;
Shijak: Xhelal Bej Deliallisi, Ymer Bej Deliallisi, Ibrahim Efendiu;
Krujë: Mustafa Merlika-Kruja;
Elbasan: Lef Nosi, Shefqet Bej Daiu, Qemal Bej Karaosmani, Dervish Bej Biçaku
Peqin: Mahmud Efendi Kaziu;
Gramsh-Tomorricë: Ismail Qemali Gramshi
Gjirokastër: Azis Efendi Gjirokastra, Elmaz Boçe, Veli Harxhi, Myfid Bej Libohova, Petro Poga, Jani Papadhopulli;
Përmet: Veli Bej Këlcyra, Syrja Bej Vlora;
Tepelenë: Feim Bej Mezhgorani;
Janinë: Kristo Meksi, Aristidh Ruci;
Çamëria: Veli Gërra, Jakup Veseli, Rexhep Demi, Azis Tahir Ajdonati;
Delvinë: Avni Bej Delvina;
Korçë: Pandeli Cale, Thanas Floqi, Spiro Ilo,
Pogradec: Hajdar Blloshmi;
Kosovë, Gjakovë dhe Plavë-Guci: Rexhep Bej Mitrovica, Bedri Pejani, Salih Gjuka, Midhat Frashëri, Mehmet Pashë Deralla, Isa Boletini, Riza Bej Gjakova, Hajdin Bej Draga, Dervish Bej Ipeku, Zenel Bej Begolli, Qerim Begolli;
Shkodër: Luigj Gurakuqi;
Vlorë: Ismail Qemali, Zihni Abaz Kanina, Aristidh Ruci, Qazim Kokoshi, Jani Minga, Eqrem Bej Vlora;
Kolonia shqiptare në Greqi: Dhimitër Zografi, Dhimitër Mborja, Dhimitër Berati, Dhimitër Ilo
Comments
Post a Comment